19.7.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 352, datë 1.3.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Iliba Bezati, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Vlorë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se palëve u ishin vënë në dispozicion për njohje qëndrimet mbi rivlerësimin e zërave të analizës financiare, si dhe disa denoncime të depozituara në Kolegj pas paraqitjes së ankimit.

Komisioneri Publik, në qëndrimin e tij mbi zërat e analizës financiare dhe efektin e tyre financiar, vlerësoi se ata zëra që lidhen me të ardhurat dhe kursimet e deklaruara nga subjekti i rivlerësimit duhet të trajtohen sipas jurisprudencës së Kolegjit, duke i qëndruar kërkimit në ankim për rivlerësimin e tyre.

Subjekti i rivlerësimit kërkoi nga trupi gjykues që, në lidhje me zërat e kontestuar në analizën financiare të kryer nga KPK, të aplikohet jurisprudenca e Kolegjit për t’i dhënë mundësi subjektit të rivlerësimit të shpjegohet mbi pasaktësitë në deklarime. Subjekti i rivlerësimit u shpreh se këto pasaktësi ishin formale dhe kërkoi rikonfirmimin në detyrë.

Në vijim, kryesuesja e seancës parashtroi pyetje për palët mbi denoncimet. Komisioneri Publik u shpreh se këto denoncime nuk përmbanin të dhëna referuar nenit 53 të ligjit nr. 84/2016 dhe e la në çmim të gjykatës vlerësimin e tyre.

Pas konsultimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues vendosi të mos hetojë mbi denoncimet e depozituara në Kolegj, pas paraqitjes së ankimit dhe, në kushtet kur palët nuk referuan kërkesa të tjera procedurale, mbylli shqyrtimin gjyqësor të çështjes, për të vijuar me paraqitjen e bisedimeve përfundimtare, në datën 25.7.2024, ora 9:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF