1.8.2024
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 756, datë 9.4.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Klerona Meçi, me detyrë ndihmëse ligjore në Prokurorinë e Përgjithshme.
Komisioneri Publik, pas shqyrtimit të vendimit nr. 756/2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, çmon se subjekti i rivlerësimin nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë, pasi ndodhet në kushtet e parashikuara në nenin 61, pika 3 dhe 5, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të hetimit tërësor të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 756, datë 9.4.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Klerona Meçi.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: https://ikp.al/ankime
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.