7.11.2024
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 803, datë 1.10.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Periand Teta, ish-ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë.
Komisioneri Publik, në analizë të vendimit nr. 803/2024 dhe kuadrit ligjor të zbatueshëm, vlerëson se përfundimi i arritur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me konfirmimin në detyrën e ndihmësit ligjor në Gjykatën e Lartë, nuk gjen mbështetje në faktet dhe parashikimet ligjore.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 803, datë 1.10.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe zbatimin e dispozitës së nenit 58/2, të ligjit nr. 84/2016.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: https://ikp.al/ankime
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.