6.12.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 479, datë 3.12.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Arben Dosti, aktualisht me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se subjekti i rivlerësimit kishte paraqitur sot, përmes postës elektronike, një kërkesë për t’u përfaqësuar me avokat, për shkak të pamundësisë së pjesëmarrjes në seancë. Përfaqësuesja e subjektit të rivlerësimit paraqiti gjithashtu në seancë të njëjtën kërkesë, duke konfirmuar se ka kopje të prokurës së firmosur nga subjekti i rivlerësimit, për të deleguar përfaqësimin e tij.

Pas konsultimit me Komisionerin Publik, mbi këtë formë ligjore të prokurës së përfaqësimit, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën më datë 13.12.2024, ora 9:00, për t’i dhënë mundësi subjektit të rivlerësimit të jetë prezent në gjykim dhe, në rast delegimi të përfaqësimit, të sigurojë dokumentacionin e duhur.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: https://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF