13.12.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 479, datë 3.12.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Arben Dosti, aktualisht me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, subjekti i rivlerësimit, përmes dy kërkesave paraprake, kërkoi pezullimin e gjykimit të çështjes në Kolegj dhe deklasifikimin e raportit të DSIK-së, në lidhje me kontrollin e figurës.
Trupi gjykues, pasi u njoh me kërkesat e subjektit të rivlerësimit, dhe qëndrimin e Komisionerit Publik mbi këto kërkesa, vendosi të vijojë shqyrtimin e çështjes në Kolegj, duke kërkuar që pretendimet e tij mbi këto kërkesa, t’i parashtronte gjatë prapësimeve.
Në vijim, kryesuesja e seancës bëri me dije për palët se Kolegji, në 16 tetor të 2024, i ishte drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, për të siguruar informacion mbi gjëndjen gjyqësore të subjektit të rivlerësimit në Greqi dhe në Itali.
Komisioneri Publik, i pyetur nga kryesuesja e seancës mbi këtë rrethanë të re, u shpreh se në ankim ka shkaqe të mjaftueshme për të vijuar me shqyrtimin e tij. Dhe në vijim, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik vlerësoi se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm në të tria kriteret e rivlerësimit dhe kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 479, datë 3.12.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Arben Dosti.
Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësueses ligjore, kërkoi nga Kolegji, të ridërgonte kërkesën për informacion në Ministrinë e Drejtësisë, për t’u njohur me gjendjen e tij gjyqësore, duke pretenduar se, në këto kushte, ai nuk mund të paraqiste prapësimet mbi shkaqet e ankimit.
Trupi gjykues vendosi që këtë kërkesë, do ta vlerësonte pas fazës së parashtrimeve.
Subjekti i rivlerësimit paraqiti në mënyrë të detajuar prapësimet e tij lidhur me tri kriteret e vlerësimit dhe përsëriti kërkesën për kohë të arsyeshme, në mënyrë që të depozitonte dokumentin e kërkuar nga shteti grek, pasi i mungonte vula apostile. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi trupit gjykues çeljen e hetimit gjyqësor, në kuadër të pranimit në cilësinë e provës të disa akteve të reja në mbështetje të parashtrimeve të tij.
I pyetur lidhur me aktet, Komisioneri Publik u shpreh se, nga pikëpamja formale, nuk ka kundërshti, por sa i përket vlerës provuese të tyre, do të shprehet gjatë konkluzioneve përfundimtare.
Kryesuesja bëri me dije se gjatë ditës së sotme në Kolegj ka mbërritur një denoncim i ri, të cilin ua vuri palëve në dispozicion.
Trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës për në datën 19.12.2024, ora 12:30, duke u kërkuar palëve të mbajnë qëndrim lidhur me denoncimet.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: https://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.