19.12.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 479, datë 3.12.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Arben Dosti, aktualisht me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës ftoi palët në parashtrimin e qëndrimeve të tyre mbi denoncimet nga publiku.

Komisioneri Publik parashtroi se denoncimet e mëparshme ishin përfshirë në ankim, ndërsa për denoncimet e depozituara pas ankimit, e la në çmim të gjykatës nevojën, ose jo për hetim të mëtejshëm.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi pretendimet e ngritura në denoncime dhe depozitoi prova shtesë. Në vijim ai ju përgjigj pyetjeve të adresuara nga vëzhguesi ndërkombëtar dhe përmes përfaqësueses ligjore parashtroi edhe njëherë kërkesat për; kohën e nevojshme për të siguruar aktin bankar në Greqi, mundësinë e depozitimit të gjurmëve papilare, në funksion të hetimit mbi kriterin e kontrollit e figurës, deklasifikimin e raportit të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar si dhe, kërkoi nga Koelgji t’i drejtohet sërish Ministrisë së Drejtësisë mbi gjëndjen e tij gjyqësore në Greqi.

Trupi gjykues vendosi të administrojë në cilësinë e provës aktet që ishin në formën e duhur ligjore, të depozituara nga subjekti në dy seancat e zhvilluara në Kolegj, ndërsa i dha mundësi  që deri në seancen e radhës t’i sgurojë në të njëjtën formë ligjore edhe dokumentet provuese të pretenduara prej tij, lidhur me dëshminë e penalitetit në Greqi.

Trupi gjykues rrëzoi kërkesën e subjektit të rivlerësimit për deklasifikimin e raportit të AKSIK, si të pabazuar në ligj, si dhe kërkesën për kohë shtesë për të siguruar aktin bankar në Greqi

Gjithashtu trupi gjykues rrëzoi edhe kërkesën e subjektit të rivlerësimit për verifikimin e gjendjes gjyqësore nëpërmjet krahasimit dhe verifikimit të gjurmëve papilare, të depozituara në një nga format e përshkruara në kërkesën e tij, si dhe vendosi të rrëzojë edhe kërkesën e subjektit të rivlerësimit për marrjen e informacionit nga Ministria e Drejtësisë së Greqisë për gjëndjen gjyqësore të subjektit të rivlerësimit.

Në vijim, trupi gjykues vendosi të çel hetimin gjyqësor për 3 denoncime nga publiku, duke kërkuar nga subjekti i rivlerësimit të sigurojë aktet dhe fashikujt gjyqësor mbi çështjet e pretenduara në denoncime. Trupi gjykues vendosi të shkojë në agjencitë ligjzbatuese për t’u njohur me të njëjtin informacion, që është njohur edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në kuadër të procesit të rivlerësimit, për subjektin e rivlerësimit, Arben Dosti.

Seanca e ardhshme do të njoftohet nga sekretaria gjyqësore, pasi t’i mundësohet Kolegjit njohja e informacionit me agjencite ligjzbatuese.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: https://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 

PDF