27.01.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 479, datë 3.12.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Arben Dosti, aktualisht me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se subjekti i rivlerësimit kishte paraqitur kërkesë për riçeljen e shqyrtimit gjyqësor dhe e ftoi ta parashtronte në seancën gjyqësore.

Subjekti i rivlerësimit u shpreh se kërkonte riçeljen e shqyrtimit gjyqësor, për të administruar akte të reja në funksion të shqyrtimit të shkaqeve të ankimit mbi kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe aftësive profesionale.

Lidhur me kërkesën e mësipërme të subjektit të rivlerësimit, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme u shpreh për rrëzimin e saj, me argumentimin se nuk ekzistojnë kushtet e riçeljes së hetimit.

Trupi gjykues, pas konsultimit, revokoi vendimin për mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe vendosi ta riçelë atë, duke administruar aktet e paraqitura në seancë nga subjekti i rivlerësimit.

Pas mbylljes së hetimit gjyqësor, palët u ftuan në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, si dhe parashtresave gjatë shqyrtimit gjyqësor, çmoi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e barrës së provës mbi të tria kriteret e rivlerësimit. Në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi nga Kolegji që, pas një hetimi të plotë të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 479, datë 3.12.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Arben Dosti.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi gjetjet dhe kërkimin përfundimtar të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, dhe në përmbyllje të prapësimeve të tij kërkoi nga Kolegji rikonfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 13.2.2025, ora 15:00.

Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF