05.02.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 730, datë 10.1.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Valentin Preçi me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës bëri me dije se, palët ishin njoftuar mbi një gjetje të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe një denoncim, i depozituar rishtazi në Kolegj, dhe në vijim kërkoi qëndrimin e tyre mbi këto akte.

Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit u shpreh se ishte vënë në dijeni për aktet e sipërcituara, por kërkoi kohë për t’u njohur me përmbajtjen e tyre, pasi subjekti i rivlerësimit nuk ishte i pranishëm në seancë.

Palët vijuan më pas me relatimin e qëndrimeve mbi denoncimet nga publiku.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme u shpreh se denoncimi i parë ishte trajtuar edhe gjatë hetimit administrativ në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe nuk përmbante shkaqe për hetim të mëtejshëm. Edhe për denoncimin e mbërritur dje në Kolegj, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme u shpreh se pretendimet e ngritura nga denoncuesi nuk përmbanin shkaqe për hetim të mëtejshëm.

Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit parashtroi qëndrimin e saj vetëm për denoncimin e parë, duke theksuar se subjekti i rivlerësimit kishte dhënë shpjegime më herët, në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, dhe se ky denoncim nuk përmbante elementë për nevojën e një hetimi të mëtejshëm.

Trupi gjykues vendosi të ndërpresë seancën gjyqësore, për t’i dhënë kohë përfaqësueses ligjore të njihet me gjetjen e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe përmbajtjen e një denoncimi të ri, dhe vendosi të shtyjë seancën më datë 13.2.2025, ora 13:00.

Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF