13.02.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 730, datë 10.1.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Valentin Preçi me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës bëri me dije se subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësueses ligjore kërkonte administrimin e akteve shtesë, në funksion të shqyrtimit të shkaqeve të ankimit, mbi konfliktin e interesit.

Pas depozitimit të provave të sipërcituara, përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit parashtroi qëndrimin mbi aktin “Gjetje” të ONM-së, nga ku pretendoi se administrimi i provave të referuara në këtë akt është bërë në tejkalim të kompetencës nga subjekte, jo të parashikuara në ligj. Në mbështetje të këtij pretendimi, ajo kërkoi që Kolegji t’i konsiderojë të papërdorshme këto prova dhe të administrojë aktet shtesë, të siguruara nga subjekti i rivlerësimit, në prapësim të gjetjes së vëzhguesve ndërkombëtarë.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, gjatë qëndrimit mbi aktin “Gjetje” të ONM-së, kërkoi nga trupi gjykues të marrë në shqyrtim faktet e referuara në funksion të kontrollit të figurës, dhe të vlerësojë sjelljen e subjektit të rivlerësimit, z. Valentin Preçi, sipas parashikimeve të nenit 48, të ligjit 84/2016, si sjellje që ka krijuar vështirësi për zbulimin e së vërtetës dhe në kundërshtim me vlerat themelore të magjistratit dhe standardet e etikës, të parashikuara në ligjin nr. 96/2016.

Në vijim, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, u shpreh kundër administrimit të provave, të dorëzuara nga përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit, mbi gjetjen e vëzhguesve ndërkombëtarë. Ndërsa nuk paraqiti kundërshtime për administrimin e akteve shtesë, të dorëzuara nga subjekti i rivlerësimit, në prapësim të shkaqeve të ankimit për konfliktin e interesit.

Trupi gjykues, pasi u njoh me qëndrimet e palëve, vendosi të marrë në cilësinë e provës aktin “Gjetje” të ONM-së, sëbashku me dokumentet shoqëruese dhe të administrojë provat e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, gjatë seancës gjyqësore. Trupi gjykues mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare, në seancën e radhës që do të zhvillohet më datë 18.2.2025, ora 9:00.

Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF