18.2.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 730, datë 10.1.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Valentin Preçi me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës ftoi palët në parashtrimin e bisedimeve përfundimtare.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, parashtresave dhe qëndrimeve të mbajtura gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke marre në konsideratë edhe Rekomandimin e ONM-së, çmoi se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë dhe në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të kontrollit të figurës. Në analizë të provave dhe akteve të administruara, për konfliktin e interesit dhe ato të dala nga shqyrtimi i denoncimeve, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme vlerësoi se veprimet e subjektit të rivlerësimit cenojnë kriterin e aftësisë profesionale, sipas nënindikatorëve të parashikuara në ligjin nr. 96/2016 dhe se sjellja e tij profesionale bie ndesh me vlerat themelore dhe standardet e etikës së magjistratit. Në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ndryshimin e vendimit nr. 730, datë 10.1.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit z. Valentin Preçi.

Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit pretendoi për të kundërtën e asaj çfarë u parashtrua në bisedimet përfundimtare dhe kërkoi nga Kolegji lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit.

Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi, për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 26.2.2025, ora 15:00.

Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF