19.2.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 524, datë 8.4.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elfrida Bregova, me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se Kolegji ka informuar palët për korrespondencën me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK), dhe përsëritjen e kërkesës drejtuar këtij institucioni, për t’i vënë në dispozicion raportin e deklasifikuar. Kryesuesja e seancës informoi gjithashtu se Kolegji nuk kishte arritur të siguronte informacion nga shoqëria ndërtuese.

Duke e konsideruar të nevojshëm informacionin e sipërcituar, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme vlerësoi se Kolegji duhet t’i drejtohet sërish shoqërisë ndërtuese. Sa i takon raportit të përditësuar të AKSIK, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme vlerësoi se duhet të pritet përgjigjia e këtij autoriteti.

Edhe subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësueses ligjore, mbajti të njëjtat qëndrime si Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, për ripërsëritjen e kërkesës nga ana e Kolegjit drejtuar shoqërisë së ndërtimit dhe pritjen e përgjigjes nga AKSIK, për raportin e deklasifikuar.

Palët në proces parashtruan qëndrimet edhe mbi denoncimin e depozituar në Kolegj, për të cilin trupi gjykues vendosi të mos kryejë hetim të mëtejshëm.

Në vijim, për të siguruar informacionin e kërkuar nga shoqëria e ndërtimit dhe AKSIK, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën më datë 5.3.2025, ora 13:00 dhe i ftoi palët të përgatiten edhe për bisedimet përfundimtare.

Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF