13.3.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion Drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, që ta përfaqësojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 754, datë 5.4.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Mirela Mishgjoni, me funksion gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë.

Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e trupit gjykues njohu palët me autorizimin e sipërcituar të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, dhe pasi mori edhe dakordësimin e subjektit të rivlerësimi, vijoi seancën me parashtrimin e shkaqeve të ankimit.

Drejtuesi i Seksionit Kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, z. Adnan Xholi, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit dhe në zbatim të Rekomandimit të ONM-së, parashtroi se subjekti i rivlerësimit nuk ka provuar të kundërtën e barrës së provës mbi kriterin e pasurisë dhe për rrjedhojë nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Në përmbyllje të qëndrimeve të tij, Drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, z. Adnan Xholi, kërkoi nga trupi gjykues, që në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes të ndryshojë vendimin nr. 754, datë 5.4.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të shkarkojë nga detyra subjektin e rivlerësimit, znj. Mirela Mishgjoni.

Subjekti i rivlerësimit pretendoi të kundërtën e qëndrimeve të mbajtura nga Drejtuesi i Seksionit Kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, lidhur me kriterin e pasurisë. Në përmbyllje të prapësimeve, subjekti i rivlerësimit depozitoi prova të reja dhe kërkoi nga trupi gjykues lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kulifikimit për konfirmimin e saj në detyrë.

Trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi, vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit. Në vijim, pasi rezultoi se nuk kishte kërkesa të reja proceduriale, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën më datë 19.3.2025, ora 8:30 dhe ftoi palët të përgatiten për paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF