19.3.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 754, datë 5.4.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Mirela Mishgjoni, me funksion gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë.

Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e trupit gjykues ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve të mbajtura gjatë shqyrtimit gjyqësor, çmoi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit për kriterin e pasurisë, sepse rrethanat e konstatuara e vendosin në kushtet e deklarimit të pasaktë, të pamjaftueshëm dhe në konflikt interesi. Në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 754, datë 5.4.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Mirela Mishgjoni.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi parashtrimet e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, duke deklaruar se të ardhurat e saj dhe të personit të lidhur ishin të ligjshme dhe se nuk gjendej në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe as në kushtet e konfliktit të interesit. Subjekti i rivlerësimit kërkoi rikonfimimin në detyrë, duke pretenduar se marrja e masës disiplinore të shkarkimit të saj, do të binte ndesh me parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit.

Trupi gjykues, pasi u njoh me qëndrimet e palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë, më datë 3.4.2025, ora 9:30.

Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF