19.3.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 521, datë 1.4.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Erjon Shehaj, me funksion prokuror/drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë.

Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se palëve u ishin përcjellë edhe denoncimet e depozituara pas ankimit dhe në vijim ftoi Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe subjektin e rivlerësimit në parashtrimin e qëndrimeve të tyre, mbi shkaqet e ankimit dhe denoncimet.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, çmoi se në analizë të gjetjeve të vetë Komisionit mbi kriterin e aftësive profesionale, problematikat e verifikuara në çështjet e hetuara cënojnë konkluzionin se subjekti i rivlerësimit arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Në të tilla rrethana, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, duke ju referuar edhe jurisprudencës së Kolegjit, kërkoi që të metat e konstatuara në kriterin e aftësive profesionale dhe etikës së subjektit të rivlerësimit, të merren në konsideratë në vlerësimin tërësor të çështjes. Në përmbyllje, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 521, datë 1.4.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Erjon Shehaj.

Subjekti i rivlerësimi, përmes përfaqësuesit ligjor, kundërshtoi shkaqet dhe kërkimin e ankimit, duke pretenduar se shkeljet e referuara në kriterin e aftësive profesionale nuk argumentojnë sesi afektohet indikatori i cënimit të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë. Në mbështetje të prapësimeve, subjekti i rivlerësimit depozitoi prova të reja.

Palët referuan qëndrimet e tyre edhe mbi denoncimet e publikut. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme theksoi se dy prej tyre janë trajtuar gjatë procesit të kryer në Komision dhe për to nuk ishin ngritur shkaqe ankimi, ndërkohe që dy të tjera nuk përmbanin shkaqe që do të kerkonin hetim të mëtejshëm. Fillimisht për një denoncim nga publiku ai vlerësoi se plotëson kriteret formale, por rezervoi të drejtën të shprehej pasi të dëgjonte qëndrimin e subjektit të rivlerësimit. Pasi dëgjoi shpjegimet e përfaqësuesit ligjor, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme i konsideroi ato të detajuara e bindëse dhe u shpreh se pretendimet e përshkruara në denoncim janë të pabazuara.

Trupi gjykues, pas konsultimit, vendosi të çelë hetimin gjyqësor, të administrojë ato akte që ishin depozituar në formën e duhur ligjore nga subjekti i rivlerësimit dhe njoftoi se nuk do të hetonte mbi denoncimet, mbi të njëjtat argumente të referuara edhe në qëndrimet e mësipërme të palëve.

Seanca e radhës do të zhvillohet më datë 4.4.2025, ora 9:00, ku palët pritet të paraqesin bisedimet përfundimtare.

Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF