20.3.2025
Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 762, datë 15.5.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Afrim Shehu, me detyrë prokuror pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, aktualisht prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme z. Altin Dumani, përmes një shkrese drejtuar Kolegjit, kërkoi shtyrjen e seancës, sepse për arsye objektive e kishte të pamundur pjesëmarrjen.
Në këto kushte, kryesuesja e trupit gjykues, pasi u njoh edhe me qëndrimin e subjektit të rivlerësimit mbi kërkesën e mësipërme, vendosi të shtyjë seancën më datë 2.4.2025, ora 13:00.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.