7.4.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 539, datë 8.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Hysni Mulaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e trupit gjykues ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.
Drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme, z. Klodjan Braho parashtroi se mangësitë e konstatuara për kriterin e vlerësimit të pasurisë janë shteruar gjatë hetimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe në këto kushte kërkoi nga trupi gjykues lënien në fuqi të vendimit nr. 539, datë 8.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Hysni Mulaj.
Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësueses ligjore, parashtroi se ashtu siç u referua edhe nga Drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme, u provua e kundërta e shkaqeve të ankimit, në lidhje me pasurinë, dhe në vijim kërkoi rikonfirmimin në detyrë.
Trupi gjykues, pasi u njoh me qëndrimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 5.5.2025, ora 12:00.
Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.