9.4.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion Drejtues i Seksionit Kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, që ta përfaqësojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimitnr. 760, datë 26.4.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Ardiana Bera, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se palëve u ishin përcjellë parashtrimet respektive si dhe denoncimet e mbërritura në Kolegj. Në vijim ftoi palët në paraqitjen e qëndrimeve mbi shkaqet e ankimit dhe denoncimet.

Drejtuesi i Seksionit Kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, z.Adnan Xholi, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, çmoi se subjekti i rivlerësimit me aktet e administruara deri në këtë moment nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë, duke analizuar gjetje që lidhen kryesisht me kriterin e pasurisë dhe kontrollit të aftësive profesionale.  Z. Xholi theksoi se subjekti i rivlerësimit ka të drejtën që të paraqesë prova dhe argumente të tjera shtesë, për të kundërshtuar shkaqet e ankimit (lidhur me pasuritë dhe likuiditetet e krijuara për vitet 2003-2007), të cilat do vlerësohen sërish nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Në përmbyllje të parashtrimeve, z. Xholi kërkoi nga Kolegji, që pas vlerësimit tërësor të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 760, datë 26.4.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Ardiana Bera.

Subjekti i rivlerësimisht kundërshtoi shkaqet e ankimit dhe në mbështetje të prapësimeve depozitoi në Kolegj prova shtesë.

Palët referuan qëndrimet e tyre edhe mbi 5 denoncime të depozituara në muajin mars të këtij viti. Drejtuesi i Seksionit Kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme çmoi se këto denoncime nuk përmbajnë shkaqe për hetime të mëtejshme. Ndërsa subjekti i rivlerësimit, duke shprehur dakordësinë me qëndrimin e sipërcituar, dorëzoi prova shtesë për të vërtetuar të kundërtën e pretendimeve të ngritura në këto ankesa.

Seanca vijoi me pyetjet e adresuara nga relatorja e çështjes për subjektin e rivlerësimit dhe përfaqësuesin e Prokurorisë së Posaçme, mbi gjetjet për pasurinë dhe aftësitë profesionale.

Trupi gjykues, pas konsultimit, vendosi të administrojë vetëm aktet e depozituara në formën e duhur ligjore dhe të mos hetojë mbi denoncimet, mbi të njëjtat argumente të referuara në qëndrimet e  palëve.

Në kushtet kur nuk u paraqitën kërkesa të tjera proceduriale, trupi gjykues mbylli hetimin gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare më datë 5.5.2025, ora 12:30.

Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF