22.4.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 762, datë 8.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Afrim Shehu, aktualisht prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e trupit gjykues ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.
Drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme, z. Klodjan Braho, analizoi gjetjet mbi kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe parashtroi se subjekti i rivlerësimit edhe pas shqyrtimit të provave të reja ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë. Në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, z. Braho kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 762, datë 8.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Afrim Shehu.
Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësueses ligjore, kundërshtoi gjetjet në kriterin e pasurisë, me pretendimin se këto elementë nuk mund të përbëjnë rrethana që cenojnë besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.
Trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi, u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 8.5.2025, ora 14:30.
Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.