Tiranë, më 6.5.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 744, datë 19.3.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artan Hajredinaj, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e trupit gjykues kërkoi të njihet me qëndrimet e palëve mbi dy denoncime të mbërritura rishtazi në Kolegj.
Drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme, z. Klodjan Braho, u shpreh se denoncimet përmbajnë pretendime të përsëritura dhe nuk evidentojnë rrethana të reja për shqyrtimin e çështjes. Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësueses ligjore, dorëzoi akte shtesë në prapësim të pretendimeve të ngitura në këto ankesa.
Trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të mos hetojë mbi denoncimet e referua më lart dhe vijoi seancën me paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.
Drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme, duke ju qëndruar shkaqeve të ankimit mbi kriterin e pasurisë dhe pjesërisht shkaqeve të lidhura me kriterin e aftësive profesionale, parashtroi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e tyre dhe se në këto kushte nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. z. Braho i kërkoi Kolegjit që në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 744, datë 19.3.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit z. Artan Hajredinaj.
Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësueses ligjore, pretendoi se gjetjet mbi pasurinë janë të aspektit deklarativ dhe nuk mund të përbëjnë rrethana që cënojnë besueshmërinë e tij. Në prapësim të shkaqeve të mbetura mbi aftësitë profesionale, subjekti i rivlerësimit kërkoi nga trupi gjykues të mos pranojë ankimin dhe të vendosë rikonfirmimin e tij në detyrë.
Trupi gjykues, pasi u njoh me qëndrimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi, për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 14.5.2025, ora 15:00.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.