Tiranë, më 29.5.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion Drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, që ta përfaqësojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 538, datë 7.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elona Alvora, me detyrë prokurore pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e trupit gjykues njohu palët me autorizimin e sipërcituar të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, dhe pasi mori edhe dakordësimin e subjektit të rivlerësimi, vijoi seancën me parashtrimin e shkaqeve të ankimit.
Drejtuesi i Seksionit Kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, z. Adnan Xholi, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, parashtroi se referuar gjendjes së fakteve dhe provave, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk ka qenë i plotë për të konkluduar me konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit. Z. Xholi parashtroi kërkesën për riçeljen e hetimit për kriterin e aftësive profesionale, duke kërkuar pranë Prokurorisë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, aktet e procedimeve penale për disa kallëzime, përfshirë edhe çështjet për të cilat ILD ka filluar hetimet, bazuar në vendimin e KPK-së. Në përmbyllje të parashtrimeve, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi që në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Kolegji të vendosë në mënyrë alternative, ndryshimin e vendimit nr. 538, datë 7.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ose lënien në fuqi të këtij vendimi.
Subjekti i rivlerësimit pretendoi të kundërtën e qëndrimeve dhe kërkesave të paraqitura nga Drejtuesi i Seksionit Kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, lidhur me kriterin e aftësive profesionale me argumentin se çështjet e referuara në ankim ishin transferuar për hetim në ILD.
Në vijim palët referuan edhe qëndrimet mbi dy denoncime të depozituara rishtazi në Kolegj. Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme u shpreh se ato nuk përmbanin shkaqe për hetime të mëtejshme, ndërsa subjekti i rivlerësimit parashtroi se iu qëndronte shpjegimeve të dhëna më parë.
Trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi, vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës aktet e kërkuara nga përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme. Në pritje të dokumentacionit të sipërcituar, seanca e radhës do të mbahet më 24.6.2025, ora 13:00.
Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.