Tiranë, më 10.6.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 600, datë 19.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Robert Kote, me detyrë prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e trupit gjykues njohu palët me autorizimin e sipërcituar të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe pasi mori edhe dakordësimin e subjektit të rivlerësimit, vijoi seancën me parashtrimin e shkaqeve të ankimit.
Drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme, z. Klodjan Braho, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, parashtroi se në vlerësimin e kriterit të pasurisë, subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës. Ndërsa për rastet e referuara nga DSIK dhe denoncimet nga publiku, që lidhen me kriterin e aftësive profesionale dhe kontrollit të figurës, z. Braho çmoi se ato duhen vlerësuar gjatë hetimit tërësor të çështjes. Në përmbyllje të parashtrimeve të tij, z. Braho kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 600, datë 19.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Robert Kote.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit dhe pretendoi se ka bërë deklarim të saktë dhe të majftueshëm të pasurisë dhe se nuk ka bërë asnjë shkelje gjatë hetimit të çështjeve të referuara nga DSIK dhe në denoncimet nga publiku. Subjekti i rivlerësimit dorëzoi prova shtesë në Kolegj dhe kërkoi administrimin e tyre.
Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme u shpreh se nga ana formale ishte dakord për administrimin e akteve shtesë, por deklaroi se në këto prova nuk rezulton të jetë vendimi i formës së prerë, i Gjykatës së Apelit, për një çështje të hetuar nga subjekti i rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit pretendoi se e kishte parë dispozitivin, por nuk e kishte në dosjen që dorëzoi në Kolegj.
Trupi gjykues, i konsultuar në dhomë këshillimi, vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës, aktet e dorëzuara nga subjekti i rivlerësimit, duke i kërkuar që t’i plotësojë ato me sigurimin e vendimit të shkurtuar të Gjykatës së Apelit.
Në pritje të këtij dokumenti, trupi gjykues njoftoi se seanca e ardhshme do të mbahet më datë 18.6.2025, ora 10:00 dhe se palët duhet të përgatiten edhe për paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.
Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.