Tiranë, më 18.6.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 600, datë 19.2.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Robert Kote, me detyrë gjyqtar prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se në vijim të seancës së mëparshme, subjekti i rivlerësimit kishte paraqitur në Kolegj vendimin e shkurtuar të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, i cili i ishte përcjellë edhe përfaqësuesit të Prokurorisë së Posaçme për qëllimi vlerësimi në bisedimet përfundimtare.
Në vijim, pasi palët nuk paraqitën kërkesa të tjera proceduriale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe i ftoi ata në parashtrimin e qëndrimeve përfundimtare.
Drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme, në referencë të provave të reja, të depozituara nga subjekti i rivlerësimit çmoi se pamjaftueshmëria financiare nuk afekton kriterin e vlerësimit të pasurisë. Në lidhje me aftësitë profesionale, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme u shpreh se u provua se subjekti i rivlerësimit nuk ka mangësi, që do të cënonin besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Në përmbyllje z. Braho kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 600, datë 19.12.2022 dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Robert Kote.
Subjekti i rivlerësimit u shpreh se arriti të provonte të kundërtën e ankimit dhe kërkoi nga trupi gjykues rikonfirmimin në detyrë.
Trupi gykues u tërhoq në dhomë këshillimi, për të marrë vendimin përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 3.7.2025,ora 15:00.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.