Tiranë, më 24.6.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion Drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, që ta përfaqësojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 598, datë 13.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), për subjektin e rivlerësimit, z. Genci Mane, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier.

Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se palët kishin depozituar në Kolegj parashtrimet dhe i ftoi ata t’i paraqisnin edhe në seancë gjyqësore.

Drejtuesi i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, z. Adnan Xholi, duke ju qëndruar shkaqeve të ankimit, deklaroi se ndryshe nga sa ka vendosur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Duke ju referuar gjetjeve mbi kriterin e pasurisë dhe aftësive profesionale, z. Xholi kërkoi nga trupi gjykues, që pas shqyrtimit gjyqësor të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimin nr. 598, datë 13.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Genci Mane.

Subjekti i rivlerësimit pretendoi të kundërtën e gjetejeve të referuara në ankim dhe në prapësim të tyre depozitoi prova shtesë. Subjekti i rivlerësimit iu përgjigj pyetjeve të adresuara nga relatorja e çështjes, të lidhura kryesisht me kriterin e vlerësimit të pasurisë.

Në vijim, kryesuesja e seancës njoftoi se palët ishin njohur edhe me përmbajtjen e dy denoncimeve nga publiku, për të cilat Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme u shpreh se nuk përmbanin shkaqe për hetim të mëtejshëm, ndërsa subjekti i rivlerësimit depozitoi akte të reja në prapësim të pretendimeve të ngritura.

Trupi gjykues, pas konsultimit, çeli hetimin gjyqësor, administroi në cilësinë  e provës aktet që nuk ndodheshin në fashikullin e KPK-së, vendosi të mos hetojë mbi denoncimet e sipërcituara dhe të kërkojë nga institucionet e energjitikës dhe ujësjellës/kanalizimeve në Tiranë dhe Fier informacion mbi gjetjet e referuara në ankim, për kriterin e pasurisë.

Në pritje të përgjigjeve zyrtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën, më datë 14.7.2025, ora 13:00.

Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF