Tiranë, më 24.6.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion Drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, që ta përfaqësojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 538, datë 7.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elona Alvora, me detyrë prokurore pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e trupit gjykues relatoi mbi aktet e përcjella në Kolegj nga Gjykata e Shkallës së Parë së Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë dhe prokuroria pranë kësaj gjykate, duke bërë me dije se përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme, z. Adnan Xholi, më kërkesën e tij, ishte njohur me përmbajtjen e tyre, ndërsa subjekti i rivlerësimit ishte vënë në dijeni.
Pasi kryesuesja e seancës mori dakordësinë e palëve për administrimin e dokumentacionit të sipërcituar, trupi gjykues vendosi t’i administrojë ato dhe të mos hetojë mbi denoncimet nga publiku, të referuara gjatë seancës së mëparshme, duke vijuar më pas me qëndrimet mbi përmbajtjen e akteve hetimore.
Drejtuesi i Seksionit Kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, z. Adnan Xholi, u shpreh se nga konsultimi i dosjeve hetimore u evidentuan mangësi të përsëritura profesionale nga ana e subjektit të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit, nga ana e saj, dha shpjegime të detajuara për gjetjet re referuara nga përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme
Pasi u njoh me qëndrimet e palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe i ftoi ata në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare, më datë 9.7.2025, ora 9:00.
Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.