Tiranë, më 25.6.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion Drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, që ta përfaqësojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 811, datë 8.11.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), për subjektin e rivlerësimit, znj. Eranda Laze, aktualisht prokurore pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e trupit gjykues ftoi palët në parashtrimin e shkaqeve të ankimit dhe prapësimeve të tyre.

Drejtuesi i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, z. Adnan Xholi, duke ju qëndruar shkaqeve të ankimit, në konsideratë edhe të rekomandimit të ONM-së, çmoi se ndryshe nga sa ka vendosur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit nuk provoi të kundërtën e barrës së provës dhe se nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Z. Xholi, në përmbyllje të parashtrimeve të tij, kërkoi nga trupi gjykues, ndryshimin e vendimit nr. 811, datë 8.11.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Eranda Laze.

Subjekti i rivlerësimit pretendoi të kundërtën e shkaqeve të ankimit dhe në prapësim të tyre depozitoi  prova të reja. Në përmbyllje, subjekti i rivlerësimit kërkoi nga trupi gjykues rrëzimin e ankimit dhe lënien në fuqi të vendimit për konfirmimin në detyrë.

Pas këshillimit, trupi gjykues çeli hetimin gjyqësor dhe administroi në cilësinë e provës disa prej akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit, pasi për një pjesë të tyre rezervoi të drejtën për t’i konsultuar në burime të aksesueshme nga trupi gjykues dhe për pjesën e mbetur kërkoi nga subjekti i ivlerësimit t’i siguronte në formën e duhur ligjore.

Seanca vijoi me pyetjet e adresuara për palët nga releatori i çështjes, që lidheshin kryesisht me të tri kriteret e rivlerësimit. Ndërsa subjekti i rivlerësimit dha shpjegimet e saj mbi këto pyetje, Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi fillimisht kohë, për t’u konsultuar me dosjet e pa hetuara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të përcjella nga Prokuroria e Vlorës dhe rezervoi të drejtën për t’u përgjigjur në seancën e ardhshme ose gjatë bisedimeve përfundimtare.

Në vijim, trupi gjykues vendosi të administrojë dosjet e përcjella nga Prokuroria Vlorë dhe të shtyjë seancën më datë 9.7.2025, ora 11:00, për t’i dhënë kohë përfaqësuesit të Prokurorisë së Posaçme, për të përgatitur përgjigjet e adresuara nga relatori i çështjes, ndërsa i njoftoi të ishin të gatshëm për të paraqitur edhe bisedimet përfundimtare.

Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF