Tiranë, më 30.6.2025
Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 607, datë 22.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), për subjektin e rivlerësimit, z. Kledian Llaho, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë.
Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, përmes një shkrese zyrtare, kishte kërkuar shtyrjen e seancës, duke referuar pamundësinë e tij objektive dhe të përfaqësuesit të autorizuar për të qenë prezent në seancën e sotme.
Subjekti i rivlerësimit u përfaqësua në seancë me avokat, i cili parashtroi kërkesën për shtyrjen e seancës në një kohë të përshtatshme. Por trupi gjykues konstatoi se pala mbrojtëse nuk dispononte dokumentacionin e përfaqësimit, ashtu siç është parashikuar në lëgjislacion dhe në këto kushte nuk mund të parashtronte kërkesa proecduriale.
Pas konsultimit, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën më datë 4.7.2025, ora 11:30, duke i kërkuar avokatit të pajiset me dokumentacionin e nevojshëm të përfaqësimit ligjor.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.