Tiranë, më 9.7.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion Drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, që ta përfaqësojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 538, datë 7.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elona Alvora, me detyrë prokurore pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, deklaroi se evidentohen mangësi në vlerësimin e kriterit të aftësive profesionale, sipas indikatorëve të përcaktuar në nenin 73, pika 2 të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Duke vlerësuar se mangësitë e verifikuara në aspektin e vlerësimit profesional të subjektit të rivlerësimit nuk duket të kenë cenuar në tërësinë e saj ushtrimin e ndjekjes penale në emër të interesave shtetërore, sa kohë procedimet penale përkatëse i janë nënshtruar kontrollit gjyqësor, dhe veprimet hetimore në zbatim të vendimeve gjyqësore të formës së prerë janë kryer duke plotësuar detyrat e lëna e duke vijuar ushtrimi i ndjekjes penale nën mbikëqyrjen gjyqësore.
Përfundimisht, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 538, datë 07.06.2022, pezullimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit znj. Elona Alvora dhe detyrimin për të ndjekur programin e trajnimit të ofruar nga Shkolla e Magjistraturës.
Subjekti i rivlerësimit, znj. Elona Alvora paraqiti në mënyrë të përmbledhur shpjegimet e saj lidhur me rrethanat e çështjeve penale të përfshira në ankim dhe përsëriti kërkesën drejtuar Kolegjit për të mos pranuar ankimin lidhur me dy çështjet e transferuara pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Znj. Elona Alvora deklaroi se lidhur me çështjet e tjera, ka pasur aftësinë të ndërmarrë veprime hetimore të logjikshme, në zbatim të ligjit procedural dhe se mangësitë e vërejtura nuk janë të tilla që të kenë shenjuar problematika në veprimtarinë hetimore. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 538, datë 07.06.2022, që e ka konfirmuar atë në detyrë.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 16.07.2025, ora 15:00.
Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.