Tiranë, më 9.7.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion Drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, që ta përfaqësojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. .811, datë 8.11.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Eranda Laze.

Subjekti i rivlerësimit kërkoi të pranohet në cilësinë e provës një dokument i lëshuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, i cili u refuzua nga trupi gjykues në seancën e datës 25.06.2025, duke i dhënë mundësi subjektit të rivlerësimit ta paraqiste në formën e kërkuar nga ligji, nëse e konsideronte të rëndësishme për çështjen.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi qëndrimin e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, i cili shprehu dakordësinë që ky akt t’i nënshtrohej debatit gjyqësor, vendosi pranimin e kërkesës.

Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe i ftoi ato të paraqisnin konkluzionet e tyre përfundimtare për çështjen.

Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi deklaroi se i qëndron shkaqeve të ankimit dhe se subjekti i rivlerësimit, znj. Eranda Laze, gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë si dhe ka mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar pasurinë e saj dhe të personave të lidhur me të. Z. Xholi vlerësoi bindëse shpjegimet e subjektit të rivlerësimit lidhur me kriterin e vlerësimit të figurës, ndërsa përsëriti qëndrimin e tij se znj. Laze ka treguar mangësi në tregimin e një kujdesi të shtuar në veprimtarinë jashtëgjyqësore. Përfundimisht, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, në konsideratë dhe të Rekomandimit të ONM-së, të datës 6.12.2024 i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 811, datë 08.11.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Eranda Laze.

Subjekti i rivlerësimit deklaroi se Komisioneri Publik në ankimin e tij nuk ka arsyetuar konform ligjit dhe provave në dosje, se ky ankim ka karakter hipotetik e paragjykues dhe si i tillë, nuk mund të jetë shkak për marrjen e një vendimi shkarkimi nga detyra. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë të gjitha provat në dosje dhe pasi t’i vlerësojë ato, të vendosë rrëzimin e ankimit të Komisionerit Publik si të pabazuar në ligj, si dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 811, datë 08.11.2024.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 29.07.2025, ora 15:00.

Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF