Tiranë, më 9.7.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 600, datë 19.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Robert Kote, me detyrë prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme z. Klodian Braho, i pyetur nga trupi gjykues nëse si ankues ka hequr dorë nga ankimi bazuar në dispozitat procedurale, deklaroi se kërkimi përfundimtar nuk është heqja dorë nga ankimi, por, që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga Kolegji, që prapësimet dhe provat e administruara gjatë procesit të merren në konsideratë dhe të gjykohen prej tij, në mënyrë që të mospamundësohet kontrolli i vendimit të Komisionit nga ana e Kolegjit.

Pasi dëgjoi kërkimin përfundimtar të ankuesit, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 18.07.2025, ora 09:00.

Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF