Tiranë, më 14.7.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar , z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 14.7.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 660, datë 16.5.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Majlinda Andrea, me detyrë ish-gjyqtare në Gjykatën e Lartë.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit dhe informoi se në Kolegj nuk ka ardhur asnjë njoftim me arsye apo shkaqe që do ta vendosnin znj. Majlinda Andrea në pamundësi objektive për të qenë e pranishme në seancë; rrjedhimisht trupi vendosi ta vijonte procesin në mungesë të saj.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit deklaroi se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka hetuar nëse institucionet e juridiksionit të zakonshëm disiplinor kushtetues kanë ushtruar kompetencën e tyre të kryerjes së hetimit dhe procedimit disiplinor me qëllim shkarkimin e subjektit të rivlerësimit dhe humbjen e statusit të magjistratit.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit të hetojë lidhur me sa më sipër, si dhe pasi të marrë në konsideratë shkaqet e ankimit, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 660, datë 16.05.2023 të Komisionit, që ka shkarkuar nga detyra subjektin e rivlerësimit dhe të deklarojë të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar pa një vendim përfundimtar, për shkak se subjekti ka humbur statusin e magjistratit. z. Braho vlerësoi se edhe nëse rezulton që këto institucione janë ende në kushtet e mosveprimit, do të duhet që procesi i rivlerësimit të deklarohet i përfunduar, pa një vendim përfundimtar, po për shkak të humbjes së statusit të magjistratit.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe t’i kërkojë Këshillit të Lartë Gjyqësor informacion si dhe aktet e nxjerra lidhur me mbarimin e statusit të magjistratit për subjektin e rivlerësimit Majlinda Andrea. Sapo të mbërrijnë në Kolegj, aktet përkatëse do t’u përcillen palëve. Në pritje të tyre, u vendos shtyrja e seancës për në datën 21.07.2025, ora 9:30, gjatë së cilës palët do të jenë të përgatitura edhe për konkluzionet përfundimtare.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.