Tiranë, më 14.7.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme), që ta përfaqësojë në seancën gjyqësore të datës 14.7.2025 lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 598, datë 13.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), për subjektin e rivlerësimit, z. Genci Mane, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier.
Pas vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme gjyqësore, kryesuesja bëri me dije se në Kolegj kanë mbërritur përgjigjet e Furnizuesit të Shërbimit Universal Tiranë, Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Drejtoria Rajonale Fier si dhe Shoqërisë së Ujësjellës Kanalizimeve Sh.a, dhe u janë përcjellë palëve, të cilat konfirmuan njohjen me to.
Referuar përgjigjeve, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi deklaroi se institucionet nuk kanë sjellë dokumentet siç u janë kërkuar në shkresën e Kolegjit, ndaj kërkoi që ky i fundit t’u drejtohet dhe njëherë, duke u kërkuar kopje të kontratave të nënshkruara nga abonenti Genci Mane nëse ekzistojnë kontrata të tilla, si dhe aktet të tjera të bashkëlidhur.
Subjekti i rivlerësimit deklaroi se përgjigjet e institucioneve janë shteruese, pasi nuk ka kontrata të tilla të lidhura mes tij dhe enteve të mësipërme.
Lidhur me një denoncim të ri të ardhur në Kolegj, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, deklaroi se pasi ishte njohur me të, nuk kishte rezultuar se përmbante rrethana për hetime të mëtejshme.
Lidhur me këtë denoncim, subjekti i rivlerësimit depozitoi një shkresë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për të cilën kërkoi pranimin si provë nga trupi gjykues.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, duke iu drejtuar edhe një herë institucioneve, si dhe kërkesën e subjektit të rivlerësimit për të pranuar si provë, shkresën lidhur me denoncimin. Trupi gjykues vendosi të mos kryejë hetime të mëtejshme mbi denoncimin, bazuar në nenin E të Aneksit të Kushtetutës, dhe nenit 53 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën për në datën 24.07.2025, ora 11:00. Gjatë kësaj seance palët duhet të jenë të përgatitura edhe për konkluzionet përfundimtare.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.