Tiranë, më 24.7.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme), që ta përfaqësojë në seancën gjyqësore të datës 24.7.2025 lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 598, datë 13.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), për subjektin e rivlerësimit, z. Genci Mane, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier.

Kryesuesja e seancës gjyqësore bëri me dije se në Kolegj kishin mbërritur përgjigjet e dyta të Furnizuesit të Shërbimit Universal Tiranë, Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Drejtoria Rajonale Fier si dhe Shoqërisë së Ujësjellës Kanalizimeve Sh.A, dhe u ishin përcjellë palëve, të cilat konfirmuan njohjen me to.

Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, në qëndrimin që mbajti lidhur me përgjigjet, konstatoi se nuk ekzistojnë kopje aktesh, në bazë të të cilave të jenë lidhur kontrata mes Furnizuesit të Shërbimit Universal Tiranë, Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Drejtoria Rajonale Fier dhe subjektit të rivlerësimit.

Subjekti i rivlerësimit deklaroi se u konfirmua qëndrimi i mbajtur prej tij në seancën e mëparshme, të datës 14.07.2025, se përgjigjet e institucioneve kanë qenë shteruese, pasi kontrata të tilla nuk ekzistojnë.

Pasi administroi në cilësinë e provës përgjigjet e institucioneve dhe qëndrimet e palëve të mbajtura në seancë, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe i ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Gjatë paraqitjes së tyre, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se edhe gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në Kolegj, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit duke vlerësuar se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm dhe nuk mbulon me burime të ligjshme pasurinë e tij. Sa i përket vlerësimit të aftësive profesionale, u kërkua nga  Kolegji që, mangësitë e përsëritura, të vërejtura gjatë ushtrimit të detyrës nga subjekti i rivlerësimit, t’i vlerësojë së bashku me problematikat në kriterin e vlerësimit të pasurisë, duke vendosur ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 598, datë 13.12.2022 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Genci Mane.

Subjekti i rivlerësimit i kërkoi përfundimisht Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 598, datë 13.12.2022.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë në datën 29.7.2025, në orën 14:00.

Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF