Tiranë, më 30.7.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 607, datë 22.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Kledian Llaho, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë.

Në vijim të vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme gjyqësore, të zhvilluar më datë 23.07.2025, kryesuesja bëri me dije se trupi gjykues ishte njohur në mënyrë të drejtëpërdrejtë me informacionin e klasifikuar, të njohur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të çështjes, pranë institucioneve ligjzbatuese që e administrojnë atë. Gjithashtu, ajo informoi se në Kolegj kishte mbërritur dokumentacioni i kërkuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë dhe u ishte vënë në dispozicion palëve, të cilat konfirmuan njohjen me të.

Lidhur me këtë dokumentacion, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme z. Altin Dumani, u shpreh se duhet të administrohet i gjithi dhe t’i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor të çështjes. Sa i përket vlefshmërisë dhe provueshmërisë së tij, z. Dumani rezervoi të drejtën të paraqiste qëndrimin e tij gjatë konkluzioneve përfundimtare.

Në këtë kuadër, subjekti i rivlerësimit deklaroi se në referencë të ankimit, objekt shqyrtimi duhet të bëhen vetëm vendimmarrjet që përfshijnë periudhën kohore nga data 23.10.2024 deri më datë 25.11.2024, pasi pjesa tjetër e dokumentacionit nuk ka lidhje me çështjen dhe nuk paraqet interes për të.

Pasi dëgjoi qëndrimet e palëve, trupi gjykues vendosi të administrojë në cilësinë e provës të gjithë dokumentacionin e dërguar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.

Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe i ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare të çështjes.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se mbetet e provuar që subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit kontradiktor, të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë, ndërsa, sa i përket kriterit të figurës, nga informacioni i organeve ligjzbatuese përfitohen indicie se integriteti i tij duhet të konsiderohet me mangësi. Lidhur me kriterin e aftësive profesionale, z. Dumani deklaroi se subjekti i rivlerësimit nuk ka treguar diligjencë për të shmangur gjendjen në kushtet e konfliktit të interesit dhe rrjedhimisht ndodhet në kushtet e cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme i kërkoi përfundimisht Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 607, datë 22.12.2022 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Kledian Llaho.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, subjekti i rivlerësimit deklaroi se provat në dosje dëshmojnë se ka arritur nivel të besueshëm në të tria kriteret e vlerësimit, të pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale, si dhe i kërkoi përfundimisht Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 607, datë 22.12.2022.

Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF