Tiranë, më 23.9.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 23.9.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.704, datë 9.10.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Elidjon Hysenaj, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit për kriterin e aftësive profesionale, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se ndryshe sa është vendosur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, provat në dosje janë të pamjaftueshme për të vlerësuar nëse subjekti i rivlerësimit arrin nivelin e besueshëm për konfirmimin në detyrë. Ai gjithashtu tha se, është i nevojshëm verifikimi i informacionit në burim, pranë agjencive ligjzbatuese që e disponojnë atë. Duke iu referuar procedimeve penale të trajtuara nga subjekti i rivlerësimit, z. Klodjan Braho deklaroi se mbetet e paargumentuar qartë ndërmarrja e veprimeve hetimore prej tij dhe i kërkoi Kolegjit që në mënyrë alternative, në rezultat të provave të reja që do të administrohen gjatë këtij procesi gjyqësor, të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 704, datë 09.10.2023 ose lënien në fuqi të tij. Lidhur me denoncimet e publikut, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se ato nuk përmbajnë rrethana me ndikim për çështjen.
Në prapësim të shkaqeve të ankimit, subjekti i rivlerësimit deklaroi se pretendimet e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme nuk qëndrojnë dhe nuk janë të bazuara në provat e ndodhura në fashikujt të çështjeve penale të trajtuara. Z. Hysenaj dha shpjegime lidhur me veprimet hetimore të ndërmarra për secilin prej procedimeve penale të përfshirë në ankim dhe paraqiti akte të reja, për të cilat kërkoi të pranohen si provë nga trupi gjykues. Subjekti i rivlerësimit deklaroi se ndan të njëjtin qëndrim me përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme lidhur me denoncimet.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi:
Të çelë hetimin gjyqësor dhe të pranojë në cilësinë e provës aktet e sjella nga subjekti i rivlerësimit, sipas inventarit të seancës së sotme dhe shkresën e saposjellë prej tij nga SPAK, më datë 12.09. 2025.
Të njihet në mënyrë të drejtpërdrejtë me informacionin e klasifikuar, të njohur edhe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të çështjes, pranë institucioneve ligjzbatuese që e administrojnë atë.
Trupi gjykues, duke u mbështetur në qëndrimet e palëve për denoncimet dhe aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, vlerësoi të mos vijojë me hetim të mëtejshëm, pasi nuk ndodhemi në kushtet e nenit 53 të ligjit nr. 84/2016.
Në kuadër të kësaj vendimmarrjeje, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 06.10.2025, në orën 13:00, duke i ftuar palët të jenë të përgatitura edhe për konkluzionet përfundimtare.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.