Tiranë, më 29.7.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në në seancën gjyqësore të datës 29.9.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.605, datë 27.4.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z.Ylli Pjetërnikaj, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë të pasurisë dhe gjendet në kushtet e pamundësisë financiare për të justifikuar ligjshmërinë e të ardhurave, në shkallë të tillë që nuk mund të gjejë zbatim parimi i objektivitetit dhe proporcionalitetit. Në kuadër të kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale, z. Klodjan Braho deklaroi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e barrës së provës për gjetjet e përfshira në ankim sa i përket veprimeve hetimore të ndërmarra prej tij. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë shkaqet e ankimit, duke vendosur ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 650, datë 27.04.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Ylli Pjetërnikaj.

Subjekti i rivlerësimit dha shpjegime lidhur me shkaqet e ankimit, ndërsa përfaqësuesja e tij ligjore deklaroi se nuk mund të zerohen të ardhurat e qenësishme të familjes bujqësore, për sa kohë nuk ekziston asnjë rast, qoftë edhe i dyshuar, i ndonjë aktiviteti korruptiv të subjektit të rivlerësimit. Subjekti i rivlerësimit kërkoi çeljen e hetimit gjyqësor, duke pranuar në cilësinë e provës aktet bashkëlidhur parashtrimeve, si dhe të një akti rë ri të depozituar gjatë seancës së sotme gjyqësore.

Lidhur me denoncimet, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se nuk përmbajnë ndonjë  rrethanë me interes për procesin.

Subjekti i rivlerësimit deklaroi se ndan qëndrim të njëjtë me përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme në këtë kuadër.

Trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes, duke pranuar në cilësinë e provës të gjitha aktet e depozituara sipas procesverbalit të seancës së sotme, përveç një akti, për të cilin, i dha mundësinë subjektit të rivlerësimit ta paraqesë në formën e kërkuar nga ligji para seancës gjyqësore pasuese.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të mos hetojë më tej lidhur me denoncimet, pasi nuk përmbushin kriteret e nenit 53, të ligjit 84/2016.

Trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datën 15.10.2025, ora 9:00, seancë, gjatë së cilës palët do të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF