Tiranë, më 29.9.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion Drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 29.9.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.673, datë 15.6.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Mirela Zavalani, me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të pasurisë, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, z.Xholi vlerësoi se deklarimet e subjektit të rivlerësimit, znj. Mirela Zavalani, janë të paqarta dhe kontradiktore në raport me aktet në dosje, duke e bërë deklarimin e saj të pabesueshëm, të pasaktë, duke pamundësuar në të njëjtën kohë, kontrollin e ligjshmërisë së burimeve të pasurisë së saj dhe personave të lidhur me të. Z. Xholi i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë shkaqet e ankimit, duke disponuar çeljen e hetimit gjyqësor për të pranuar prova të reja gjatë këtij procesi, me qëllim arritjen e një konkluzioni të drejtë për çështjen.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit znj. Mirela Zavalani dhe përfaqësuesja e saj ligjore dhanë shpjegime të detajuara për secilin prej shkaqeve të ankimit dhe i kërkuan Kolegjit të çelë hetimin gjyqësor të çështjes, duke pranuar si provë aktet e reja, të cilat i janë bashkëlidhur parashtrimeve, duke deklaruar se saktësojnë çdo rrethanë të paqartë të hetimit administrativ të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, si dhe mbështesin bindshëm standardin e besueshmërisë së subjektit të rivlerësimit në deklarim.
Trupi gjykues vendosi çeljen e hetimit gjyqësor të çështjes, duke pranuar në cilësinë e provës, aktet shkresore të individualizuara nga subjekti i rivlerësimit në parashtrimet me shkrim të depozituara si dhe në inventarin e provave që I është bashkëlidhur këtyre parashtrimeve.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare në seancën e ardhshme, të datës 16.10.2025, ora 8:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.