Tiranë, më 13.10.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 13.10.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.704, datë 9.10.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Elidon Hysenaj, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Në seancën e mëparshme, kryesuesja e trupi gjykues pyeti përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho nëse do të paraqiste një kërkim të vetëm, pa alternativa dhe nëse do të konsideronte të nevojshëm aksesimin e dosjes së klasifikuar të subjektit të rivlerësimit, në ambientet e Kolegjit, e cila është e administruar në fashikullin e Komisionit, si pjesë përbërëse e tij.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho, në seancën e datës 13.10.2025, deklaroi se vlerëson që informacioni në dosje është i pamjaftueshëm për çështjen, dhe si rezultat, i është drejtuar institucionit përkatës për t’u njohur në burim me informacionin e klasifikuar, gjë që nuk është mundësuar ende. Për këtë arsye, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit shtyrjen e seancës gjyqësore për një kohë të arsyeshme.
Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit deklaroi se e lë në vlerësimin e gjykatës vendimmarrjen për këtë kërkesë, duke shtuar se mbetet e hapur për çdo informacion shtesë të nevojshëm në funksion të shqyrtimit të çështjes.
Trupi gjykues, pasi u konsultua vendosi të pranojë kërkesën e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, duke shtyrë seancën gjyqësore për në datën 24.10.2025, ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.