Tiranë, më 14.10.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion Drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 14.10.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.736, datë 31.1.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Gentian Habazaj, me detyrë prokuror, aktualisht me detyrë këshilltar ligjor në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi deklaroi se, sa i takon kriterit të vlerësimit të pasurisë, pas rishikimit të parashtrimeve të subjektit të rivlerësimit në raport me aktet në dosje, u provua vazhdimësia e të ardhurave të ligjshme të prindërve të tij ndër vite, megjithëse ata nuk konsiderohen ligjërisht persona të lidhur me subjektin e rivlerësimit. Z. Xholi deklaroi se problemet e konstatuara lidhur me pasurinë e krijuar nga prindërit para se z. Habazaj të merrte detyrën e prokurorit, nuk e vendosin atë në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë.
Lidhur me kriterin e vlerësimit profesional, z. Xholi, deklaroi se është shteruar një shkak ankimor i bazuar në një prej denoncimeve, ndërkohë që disa mangësi të vërejtura gjatë trajtimit të procedimeve penale prej tij gjatë ushtrimit të detyrës, nuk janë të tilla që ta vendosin para masës disiplinore të shkarkimit.
Në përfundim, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 736, datë 31.01.2024.
Në vijim, përfaqësuesi ligjor dhe subjekti i rivlerësimit dhanë në mënyrë të përmbledhur shpjegimet e tyre lidhur me shkaqet e ankimit, duke deklaruar se u provua e kundërta e tyre, si dhe fakti që deklarimet e z. Habazaj kanë qenë gjithmonë të sakta, të qarta dhe jo kontradiktore. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi përfundimisht Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 736, datë 31.01.2024.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 17.10.2025, ora 11:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.