Tiranë, më 15.10.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 15.10.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.605, datë 27.4.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z.Ylli Pjetërnikaj, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Në këtë seancë trupi gjykues vendosi të administrojë në cilësinë e provës një akt, i cili iu lejua të paraqitej nga subjekti i rivlerësimit në formën e kërkuar nga ligji.
Në vijim, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se, pas vlerësimit të parashtrimeve dhe akteve të reja të depozituara në Kolegj, parë në raport dhe në aktet, e përfshira në dosje, u provua se familja e subjektit ka ushtruar aktivitet bujqësor dhe blegtoral prej fillimit të viteve 1990. Në kushtet kur konstatimet lidhur me kriterin e pasurisë, i përkasin një periudhe përpara emërimit të tij në detyrë dhe kur nuk është konstatuar asnjë indicie që këto pasuri të kenë burim të paligjshëm apo lidhje me ndonjë veprimtari të jashtëligjshme, nga vetë subjekti dhe familjarët e tij, problematikat e konstatuara në lidhje me kriterin e pasurisë nuk justifikojnë masën disiplinore të shkarkimit nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Lidhur me kriterin e vlerësimit profesional, z. Braho deklaroi se disa problematika të vërejtura gjatë ushtrimit të detyrës, nuk konsiderohen si mangësi serioze, që mundtë justifikojnë masën disiplonore të shkarkimit nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Përfundimisht, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 650, datë 27.04.2023.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit dha në mënyrë të përmbledhur disa shpjegime lidhur me ankimin, duke deklaruar se fakti që u provua ligjshmëria e të ardhurave të familjes bujqësore, bën që shkaqet e ankimit të kenë rënë dhe të jetë hequr dorë prej tij. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi përfundimisht Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 650, datë 27.04.2023.
Vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) pyeti përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme lidhur me ndryshimin e kërkimit përfundimtar. Në përgjigje të pyetjes, z. Braho sqaroi se Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ka mbajtur edhe më parë qëndrime të ngjashme, të cilat Kolegji i ka interpretuar sipas kompetencave të tij.
Trupi gjykues, pasi u konsultua, vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 17.10.2025, ora 12:00.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.