Tiranë, më 28.10.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,(njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 28.10.2024, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.689, datë 24.7.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Ervin Pollozhani, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho, i pranishëm në seancë.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se subjekti i rivlerësimit nuk arrin të provojë të kundërtën e barrës së provës, lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, duke u gjendur në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe kontradiktor me të ardhura të pamjaftueshme për të justifikuar ligjshmërinë e burimeve të pasurisë. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se gjatë procesit në Kolegj, subjekti i rivlerësimit mund të paraqesë prova dhe argumenta shtesë për të përmbysur barrën e provës, por referuar gjendjes aktuale të akteve, z. Braho kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 689, datë 24.07.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Ervin Pollozhani.

Subjekti i rivlerësimit në prapësim të shkaqeve të ankimit, deklaroi se mbulon plotësisht me burime të ligjshme pasurinë e tij dhe disa pasaktësi të vërejtura nuk cenojnë ligjshmërinë e burimit të krijimit të kësaj pasurie. Në mbështetje të pretendimeve të tij, subjekti i rivlerësimit paraqiti akte të reja që i janë bashkëlidhur parashtrimeve, për të cilat, kërkoi të pranohen si provë nga trupi gjykues. Z. Ervin Pollozhani i kërkoi Kolegjit që, pasi të vlerësojë aktet në dosje, bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit, të vendosë lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 689, datë 24.7.2023.

I pyetur nga kryesuesja, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se nuk kishte kundërshtim lidhur me pranueshmërinë e akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit në cilësinë e provës.

Në vijim, subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve të vëzhguesit ndërkombëtar të ONM-së në funksion të shqyrtimit të çështjes.

Lidhur me denoncimet, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se ato nuk përmbajnë rrethana me interes për procesin. Subjekti i rivlerësimit ndau të njëjtin qëndrim me përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, duke shtuar se ka dhënë shpjegime shteruese lidhur me denoncimet si dhe akte ku mbështet qendrimi i tij.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes, duke pranuar në cilësinë e provës, aktet bashkëlidhur parashtrimeve të subjektit të rivlerësimit, të depozituara në Kolegj, më datë 21.10.2025. Duke marrë në konsideratë qëndrimin e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme lidhur me denoncimet, shpjegimet e subjektit të rivlerësimit në këtë kuadër, si dhe pasi i vlerësoi ato e aktet e depozituara prej tij, trupi gjykues vendosi të mos hetojë më tej, pasi nuk përmbushin kërkesat e nenit 53 të ligjit 84/2016.

Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi ta mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes, duke i ftuar ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare të çështjes.

Për t’u dhënë kohë të arsyeshme palëve për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore në datën 11.11.2025, ora 9:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.

Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF