Tiranë, më 13.11.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion Drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 13.11.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.779, datë 28.6.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Aurel Zarka, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë

Kryesuesja e seancës gjyqësore bëri me dije se Kolegji ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme procedurale për njoftimin e subjektit të rivlerësimit, Aurel Zarka me qëllim pjesëmarrjen e tij në seancë, por ky i fundit ka lajmëruar zyrtarisht Kolegjin se ka zgjedhur të mos marrë pjesë në të.

Në vijim të vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme, palët konfirmuan njohjen me aktet e sjella në Kolegj nga Agjencia Kombëtare e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (AKSIK), Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, si dhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në kushtet kur vijon gjykimi i një çështjeje penale në ngarkim të subjektit të rivlerësimit, vëzhguesi ndërkombëtar i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i kërkoi trupit gjykues të Kolegjit shtyrjen e seancës me qëllim marrjen e akteve si më poshtë në formën e kërkuar nga ligji:

  • Aktet që kanë të bëjnë me njoftimin e akuzës nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në ngarkim të subjektit të rivlerësimit Aurel Zarka;
  • Vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
  • Vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e vëzhguesit ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe në pritje të akteve të mësipërme, seanca gjyqësore u shty për në datën 29.01.2026, ora 10.00.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.

Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF