Tiranë, më 25.11.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,(njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 25.11.2024, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.689, datë 24.7.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Ervin Pollozhani, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, z. Klodjan Braho deklaroi se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë dhe se pretendimet e tij për të kundërtën e shkaqeve të ankimit mbeten në nivel deklarativ dhe të pambështetura në aktet e përfshira në dosje. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi përfundimisht Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 689, datë 24.07.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Ervin Pollozhani.

Subjekti i rivlerësimit kundërshoi shkaqet e ankimit dhe dokumentin, “gjetje dhe mendim” të paraqitur nga vëzhguesi ndërkombëtar i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe i kërkoi përfundimisht Kolegjit lënien në fuqi të vendimit nr. 689, datë 24.07.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, sipas tij, i bazuar në ligj dhe në prova, i marrë pas një hetimi të plotë, shterues dhe argumentues.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 15.12.2025, ora 15:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.

Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF