9.8.2022
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 538, datë 7.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Elona Alvora, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Vlorë.
Nga shqyrtimi i vendimit nr. 538/2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe akteve shoqëruese të tij, Komisioneri Publik konstaton se procesi i hetimit i kryer nga Komisioni nuk ka qenë i plotë e për rrjedhojë, në gjendjen që janë aktet, nuk mund të konkludohet se subjekti i rivlerësimit është në kushtet për konfirmim në detyrë.
Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik synon hetim të mëtejshëm të kriterit të aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit, pasi përfundimet e Komisionit për këtë kriter kontrolli nuk gjejnë mbështetje të plotë në aktet dhe provat e administruara.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të një hetimi të plotë, të vendosë në mënyrë alternative: ndryshimin e vendimit nr. 538, datë 7.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose lënien në fuqi të këtij vendimi.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi publikohet në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.