14.11.2023

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 704, datë 9.10.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Elidon Hysenaj, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës.

Komisioneri Publik çmon se, referuar gjendjes së akteve në dosje, pamundësohet vlerësimi nëse në vendimin nr. 704/2023 gjenden mjaftueshëm elemente për të identifikuar dhe vlerësuar drejt rezultatet e hetimit administrativ, të cilat e kanë çuar Komisionin në konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, si dhe nëse në këto rezultate ka problematika, që afektojnë kriterin e integritetit të subjektit të rivlerësimit, që mund të konkludojnë në cenimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të vlerësimit tërësor të çështjes, në mënyrë alternative, të vendosë për ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit nr. 704, datë 9.10.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Elidon Hysenaj.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF