23.4.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi rigjykimi i çështjes gjyqësore, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 42, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Antoneta Sevdari.
Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar parashtrimeve dhe qëndrimeve të mbajtura në seancat paraardhëse, në konsideratë të vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut,“Sevdari kundër Shqipërisë”, risolli në vëmendje se është shprehur dakord me kërkesën e znj. Sevdari për rishikimin e vendimit, duke vlerësuar dhe parashtruar se, pavarësisht nga forma dhe referenca ligjore e paraqitjes së kësaj kërkese, ato lidhen me shqyrtimin në fakt të së njëjtës çështje gjyqësore, të shqyrtuar më parë dhe për të cilën ishte marrë një vendim nga Kolegji.
Komisioneri Publik parashtroi se në rrethanat kur vendimi i GJEDNJ-së nuk rrëzon shkaqet e ankimit, por kërkon të vlerësohet proporcionaliteti i masës së shkarkimit, rrjedhojë e vlerës provuese të tyre, në raport me kërkesat ligjore, vlerësim të cilin e bën Kolegji i Posaçëm i Apelimit, çdo qasje tjetër e Komisionerit Publik nuk do ishte në përputhje me ligjin nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, Komisioneri Publik vlerësoi se kërkuesja, znj. Antoneta Sevdari, nuk arriti të provonte të kundërtën e barrës provuese për shkaqet e ankimit dhe i kërkoi trupit gjykues ndryshimin e vendimit nr. 42/2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Antoneta Sevdari.
Subjekti i rivlerësimit, fillimisht, përmes përfaqësueses ligjore dhe, më pas, në një qëndrim të sajin, pretendoi se shkaqet ankimore të Komisionerit Publik ishin rrëzuar nga GJEDNJ dhe se Kolegji duhet të zbatonte vendimin e kësaj Gjykate, duke konkluduar me rikonfirmimin e saj në detyrë.
Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 10.5.2024, ora 13:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.