20.12.2024
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 811, datë 8.11.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Eranda Laze, aktualisht prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Komisioneri Publik, pas shqyrtimit të vendimit nr. 811/2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në zbatim edhe të Rekomandimit të ONM-së, konstaton se ai është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm, për konfirmimin në detyrë.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të hetimit tërësor të çështjes, të vendosë ndryshmin e vendimit nr. 811, datë 8.11.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Eranda Laze.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.