14.01.2025 

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 479, datë 3.12.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Arben Dosti, aktualisht me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës bëri me dije se, me përfundimin e mandatit të Komisionerëve Publikë, kompetencat e tyre ushtrohen nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe nenit 199, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Civile. Në vijim, kryesuesja e seancës njoftoi se trupi gjykues mori dijeni në agjencitë ligjzbatuese mbi aktet e njohura më parë nga KPK-ja. Kryesuesja e seancës bëri me dije se ndërkohë palëve u ishin vënë në dispozicion aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit mbi tri denoncime, si dhe aktet e një denoncimi të depozituar dje në Kolegj.

Seanca vijoi me prapësimet e subjektit të rivlerësimit, i cili pretendoi të kundërtën e çështjeve të referuara në tri denoncimet, për të cilat trupi gjykues kishte vendosur çeljen e hetimit gjyqësor. Në vijim, subjekti i rivlerësimi kërkoi nga Kolegji të investohej për të siguruar fashikujt e dy çështjeve të ngritura në denoncime, të cilat sipas tij po shqyrtoheshin në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe në Gjykatën e Lartë.

Pas përgjigjeve mbi pyetjet e adresuara nga relatorja e çështjes, subjekti i rivlerësimit kërkoi administrimin e disa akteve të reja dhe dha shpjegime edhe mbi denoncimin e depozituar rishtazi në Kolegj, duke u shprehur se ky denoncues kishte shfaqur më parë sjellje penale ndaj tij dhe familjes së tij. Mbi denoncimin u shpreh edhe përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit, për të cilën denoncuesi ngrinte pretendime për konflikt të mundshëm interesi.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, në qëndrimin mbi aktet e përcjella nga subjekti i rivlerësimit mbi tri denoncimet, çmoi se ato nuk ndikojnë në shkaqet e ankimit. Ndërsa, në lidhje me denoncimin e depozituar ditën e djeshme në Kolegj, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme u shpreh se ai nuk përmban fakte dhe rrethana për kërkime të mëtejshme.

Në vijim, subjekti i rivlerësimit dorëzoi si provë edhe vërtetimin mbi gjendjen e tij gjyqësore në Greqi dhe përsëriti kërkesat e rrëzuara më parë nga trupi gjykues, që lidheshin me shkaqet e ankimit mbi kontrollin e kriterit të figurës.

Trupi gjykues, pas konsultimit, vendosi të administrojë në cilësinë e provës aktet e reja, të depozituara në Kolegj nga subjekti i rivlerësimit dhe të deklarojë të mbyllur shqyrtimin gjyqësor.

Trupi gjykues ftoi palët të paraqesin bisedimet përfundimtare në seancën e radhës, që do të mbahet më datë 27.1.2025, ora 11:00.

Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

 

PDF