21.01.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 730, datë 10.1.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Valentin Preçi me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës bëri me dije se, me përfundimin e mandatit të Komisionerëve Publikë, kompetencat e tyre ushtrohen nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në vijim, kryesuesja e seancës njoftoi se palëve u ishin vënë në dispozicion parashtrimet dhe ftoi Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme në parashtrimin e shkaqeve të ankimit.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, dhe në referencë të Rekomandimit të ONM-së, çmoi se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës për kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe se ndodhet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës. Lidhur me konfliktin e interesit, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi nga Kolegji që kjo çështje të mbahej në konsideratë, në vlerësimin e përgjithshëm të të tria kritereve, sipas nenit 4, pika 2 e ligjit nr. 84/2016. Ndërsa për denoncimet nga publiku, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme u shpreh se problematikat e konstatuara duhet të trajtohen nga Kolegji së bashku me gjetjet e tjera të shkaqeve të ankimit, në kuadër të aplikimit të nenit 61, pika 5, të ligjit nr. 84/2016, si cenim i besimit të publikut te sistemi i drejtësisë. Në përmbyllje, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 730, datë 10.1.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Valentin Preçi.
Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesja e tij ligjore kundërshtuan shkaqet e ankimit, si të pabazuara në prova dhe në mbështetje të pretendimeve të tyre depozituan akte shtesë për t’i administruar në cilësinë e provës.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit iu përgjigj pyetjeve të drejtuara nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe vëzhguesi ndërkombëtar, në funksion të shqyrtimit të çështjes.
Trupi gjykues, pasi u njoh edhe me qëndrimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme mbi aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, vendosi t’i administrojë ato, të çelë hetimin gjyqësor dhe në vijim njoftoi palët se do t’ju vihet në dizpozicion përmbajtja e një denoncimi të ri, i depozituar rishtazi në Kolegj, dhe se në seancën e datës 5.2.2024, ora 9:00, duhet të përgatiteshin për qëndrimet e tyre mbi këtë denoncim si dhe për konkluzionet përfundimtare.
Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.