27.01.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 524, datë 8.4.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elfrida Bregova, me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës bëri me dije se, me përfundimin e mandatit të Komisionerëve Publikë, kompetencat e tyre ushtrohen nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në vijim, pasi kryesuesja e seancës mori konfirmimin e palëve se ishin njohur me parashtresat respektive, të vëna në dispozicion nga Kolegji, ftoi Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme në paraqitjen e shkaqeve të ankimit.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, kërkoi nga Kolegji të çelë hetimin për administrimin e informacionit nga shoqëria ndërtuese, mbi veprimet e kryera nga ana e saj në lidhje me apartamentin e deklaruar nga subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur me të, si dhe të administrojë nga Prokuroria pranë Gjykatës ë Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan, procedimin penal dhe akt-ekspertimet grafike, të cituara në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në lidhje me vlerësimin e pasurisë. Për të mundësuar hetimin e plotë të kontrollit të figurës, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi nga Kolegji, që ashtu siç referohet në ligj, në raportin e DSIK-së, duhet të përfshihet edhe informacioni i institucionit verifikues (SHISH), pasi ky informacion mungon në raport.
Në përmbyllje, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi çeljen e hetimit gjyqësor dhe administrimin e akteve të kërkuara gjatë parashtresës së tij, sipas kërkimeve të ankimit të datës 24.5.2022.
Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesja ligjore kundërshtuan shkaqet e ankimit dhe, në mbështetje të pretendimeve të tyre, kërkuan administrimin e provave të reja.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit iu përgjigj pyetjeve të adresuara nga vëzhguesi ndërkombëtar, në lidhje me shkaqet e ankimit.
Trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi, vendosi:
- Së pari, të marrë në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit;
- Së dyti, të administrojë informacion nga shoqëria ndërtuese, sipas kërkimeve të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme;
- Së treti, të kërkojë përditësimin e Raportit të datës 2.11.2017 nga AKSIK (ish-DSIK), për administrimin e informacionit nga institucioni verifikues, të dhënat e të cilit nuk janë marrë në shqyrtim gjatë hartimit të raportit të parë.
Kryesuesja e seancës u bëri me dije palëve se do t’ju vihet në dispozicion përmbajtja e një denoncimi nga publiku.
Në vijim, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën për në datën 19.2.2025, ora 10:00, në pritje të informacioneve të kërkuara.
Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.