7.4.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK),         z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 744, datë 19.3.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artan Hajredinaj, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se palët janë njohur me kërkimet dhe prapësimet e tyre dhe i ftoi t’i paraqisnin ato edhe në seancë.

Drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme, z. Klodjan Braho, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, parashtroi se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë dhe se nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës, në lidhje me kontrollin e aftësive profesionale. Në referencë të 7 denoncimeve nga publiku, z. Braho i kërkoi Kolegjit që mangësitë e vërejtura të mbahen në konsideratë në vlerësimin tërësor të çështjes dhe në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 744, datë 19.3.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit z. Artan Hajredinaj.

Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësueses ligjore, pretendoi se gjetjet mbi pasurinë dhe aftësitë profesionale janë të pabazuara dhe në mbështetje të prapësimeve depozitoi prova të reja në Kolegj.

Palët referuan qëndrimet edhe mbi një denoncim të depozituar në Kolegj. Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme u shpreh se çështja e referuar është ende në shqyrtim nga subjekti i rivlerësimit dhe se rrjedhimisht nuk ka ndikim në procesin e tij. Qëndrimin mbi këtë denoncim, subjekti i rivlerësimit e paraqiti me shkrim, të shoqëruar edhe me akte shtesë.

Pas konsultimit, trupi gjykues vendosi të mos hetojë mbi denoncimin e sipërcituar dhe njoftoi palët për administrimin në cilësinë e provës të akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit dhe në vijim i ftoi të paraqesin bisedimet përfundimtare në seancën e datës 28.4.2025, ora 14:00

Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF